Shqipëria ashpërson masat për ndalimin e celularëve në shkolla

0 11

Në mjediset e institucioneve arsimore para universitare në Shqipëri është e ndaluar të disponohet telefon celular nga nxënësit dhe mësuesit.

Ky është urdhri më i fundit  i ministres së Arsimit Lindita Nikolla lidhur me masat për mospërdorimin e celularëve në shkolla gjatë mësimit.

“Në mbështetje të nenit 102 të kushtetutës së republikës së Shqipërisë dhe nenit 6 të ligjit, 69/2012 “Për sistemin arsimor para universitar”, udhëzoj: në mjediset e institucioneve arsimore para universitare është e ndaluar të disponohet telefon celular nga nxënësit dhe mësuesit”, thuhet në udhëzimin e firmosur nga ministrja e Arsimit Lindita Nikolla.

Në udhëzim sqarohet se “në rast të konstatimit të disponimit të telefonit celular nga nxënësit në mjediset e institucioneve arsimore para universitare, drejtoria e institucionit sekuestron telefonin celular dhe zbaton masa disiplinore sipas kuadrit ligjor në fuqi. Telefonat e sekuestruar depozitohen pranë institucioneve arsimore vendore përgjegjëse për arsimin para universitar. Masat e marra ndaj nxënësit i njoftohen me shkrim prindit ose kujdestarit ligjor të nxënësit”.

Udhëzimi ngarkon Drejtoritë e institucioneve arsimore, të rishikojnë rregulloren e brendshme të shkollës, duke përcaktuar masat për ndalimin e telefonit celular nga nxënësit dhe mësuesit në mjediset e institucioneve shkollore para universitare, të marrin masa për zhvillimin e takimeve me prindërit për këtë temë si dhe vendosjen e posterave të ndryshëm në ambientet e shkollës.

Për zbatimin e nismës, mësuesi kujdestar do të duhet të nënshkruajë një deklaratë të përbashkët me prindërit ku të bien dakord që fëmijët e tyre të mos kenë celulare me vete kur nisen në shkollë. Pyetja e natyrshme që lind pas kësaj: si do të bëhet në raste emergjente?! Për këtë do të kujdeset drejtoria e shkollës. “Drejtoritë e institucioneve arsimore të marrin masa për të vënë në dispozicion numër telefoni të veçantë për komunikimin me prindërit e nxënësve dhe t’ia bëjnë me dije prindit në deklaratën e përbashkët”, trasnmeton atsh.

Urdhri për ndalimin e celularëve përfshin dhe mësuesit. Edhe për ta drejtoria e shkollës monitoron e ndëshkon, por vetëm në rast se e përdorin gjatë mësimit, dhe jo në ambientet brenda shkollës.

Jep pergjigje

E-Maili juaj nuk Publikohet

%d bloggers like this: