Durrës, 3.4 milionë euro të sekuestruara

0 99

Janë mbi 3.3 milion euro dhe 80 mijë franga svicerane paratë e zbuluara dje nga policia shqiptare në Portin e Durrësit. Fillimisht, sasitë e para të eurove u gjendën në brendësi të një automjeti tip “Toyota Yaris” i nisur nga Belgjika, i mbi një transportues së bashku me 7 makina të tjera dhe përmes Italisë ishte imbarkuar në tragetin e linjës Bari – Durrës.

Kontrollet e ushtruara në Portin shqiptar çuan në zbulimin e sasisë tjetër, në një makinë të dytë. Katër persona përfunduan në pranga, Agim Çeka, shoferi i mjetit që transportonte autoveturat, Klevi Lika, pronar i kompanisë që kryente transportin e mjeteve, së bashku me babin e tij Edi Lika, si dhe Alban Mullaomeri, i cili rezulton të ketë kontraktuar kompaninë për transportin e autoveturave. Ndërkohë dy persona të tjerë, E.V. dhe A.V., që sipas policisë janë porositësit e mallit, janë shpallur në kërkim.

Mbi këtë ngjarje kanë nisur dhe debatet politike, të cilat u nxitën në fakt nga deklarimet në sallën e parlamentit të enjten e kaluar, nga kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, duke reaguar ndaj socialistëve të cilët nisën të qeshnin me fjalën e tij. Zoti Basha ju drejtua kreut të Grupit socialist Taulant Balla ndërsa tha se “njëri prej atyre që zgërdhihen më shumë ka qenë në Gjermani para tre ditësh. Mbajeni mend këtë që po ju them. Dhe ka porositur një Toyota Yaris, por ta kanë zbuluar Toyotën, o zgërdhimtar, bashkë me 1.5 milion euro të drogës brenda”.

Sipas policisë, njoftimin e parë për një mjet, “që pritej të transportonte disa autovetura, e mes tyre një mjet me sasi eurosh të padeklaruara, pa specifikuar tipin e automjeteve dhe as origjinën e vendit”, ajo e kishte marrë nga burimet e saj të mërkurën më datë 20 Qershor. Ndërsa pasditen e së enjtes, pasi zoti Basha kishte bërë deklaratën e tij në parlament, “një agjenci ligj zbatuese shqiptare në orën 17:00, ka njoftuar Policinë e Shtetit lidhur me një informacion për një ngarkesë me trajler që do të sillte disa mjete tip ‘Toyota’, e cila pritej të vinte nga Gjermania, e mes tyre një mjet me sasi eurosh të padeklaruara”.

Edhe sot zoti Basha ju përmbajt deklaratës të së enjtes, se paratë ishin të lidhur me drejtuesin e lartë socialist Blla. Sipas tij “paratë janë të një prej bandave më të rrezikshme të trafikut të drogës, aktive kryesisht në zonën e Elbasanit, por edhe të gjithë Shqipërisë. E dyta, Taulant Balla kishte marrëveshje për të garantuar hyrjen e këtyre parave pa problem në Shqipëri. E treta, policia shqiptare ka qenë nën presionin e një prej partnerëve tanë për të vepruar. Është një nga vendet partnere, i cili është skeptik përsa i përket kushteve të Shqipërisë për integrimin në veçanti kundër krimit dhe korrupsionit”.

Zoti Balla reagoi përmes një statusi në Facebook duke hedhur poshtë akuzat, që sipas tij janë pjesë e gënjeshtarve të përditshme të Kryetarit demokrat.

Jep pergjigje

E-Maili juaj nuk Publikohet

%d bloggers like this: