KFOR dhe Policia po planifikojnë patrullime në zonën kufitare pas rastit të Karaçevës

62

Misioni i KFOR-it në Kosovë përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka filluar një plan të përbashkët për organizimin e aktiviteteve operacionale të përbashkëta me Policinë Kufitare të Kosovës në rajonin e Kamenicës.

Takimi i sotëm është paraprirë nga një takim i mbajtur dje në zyrat e Policisë së Kosovës në mes të shefit të Operativës së KFOR-it dhe drejtorit të Policisë së Kosovës, bashkë me disa zyrtarë të tjerë.

Pas takimeve palët janë ndarë të kënaqura me nivelin e bashkëpunimit të zhvilluar deri tani, dhe kanë premtuar se do të angazhohen për forcimin e një bashkëpunimi të tillë, përmes krijimit të një mekanizmi javor që do të lejojë rritjen e numrit të patrullimeve të përbashkëta të Policisë së Kosovës dhe KFOR-it në zonën e Kamenicës.

Në fund të njoftimit thuhet se “KFOR mbetet i përkushtuar të vazhdojë të kontribuojë në mënyrë të paanshme për një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët në Kosovë, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet vendore dhe organizatat e sigurisë dhe Komunitetin Ndërkombëtar, sipas mandatit të tij nën Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara të Këshillit të Sigurimit të vitit 1999”.

Kjo iniciativë e KFOR-it vjen pas ngjarjes së para pak ditëve ku disa forca të ushtrisë serbe kishin hyrë thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës. Një veprim i tillë i ushtrisë serbe kishte shqetësuar banorët e Kamenicës të cilët jetojnë afër vijës kufitare në Karaçevë.

SHARE