Duka: Shqipëria, ndër vendet e para që do të rinisë ndeshjet e futbollit

12

Presidenti i Federatës së Futbollit të Shqipërisë, Armand Duka, ka konfirmuar se plani është që ndeshjet e futbollit në Shqipëri të rinisin në muajin maj.

Gjatë një prononcimi për RTSH, kreu i FSHF-së thotë se Shqipëria duhet të jenë ndër vendet e para që rinis ndeshjet dhe se nuk duhet të mendohet për anulimin e kampionatit.

“Kemi përgatitur një protokoll dhe shpresojmë që në fund të majit të rifillojmë. Duke parë që e gjithë Evropa po e rifillon futbollin, pse të mos e bëjmë edhe ne”, ka thënë Duka.

“Sigurisht duke pasur kujdes dhe duke krijuar një protokoll për të qenë të sigurt pas rikthimit. Ne kemi parë protokollin që ka bërë Gjermania. Dushet futbollistët t’i bëjnë në shtëpi dhe jo në stadium. Në stadium të mos ketë më shumë se 100 persona. Pak a shumë këto janë disa nga kushtet që duhen respektuar për tu mbrojtur nga virusi”.

“Unë nuk mendoj që Shqipëria është një nga vendet që duhet të pezullojë kampionatin, duke parë edhe statistikat. Përqindja e të prekurve dhe viktimave është një nga më të ulëtat në Evropë. Ne duhet të jemi një nga vendet e para që duhet të rikthejmë futbollin”.

“Ne jemi një vend i varfër dhe duhet të punojmë sa më shumë, nuk mund t’i mbyllim njerëzit brenda. Duhet të rikthehemi në jetën e përditshme. UEFA ka marrë një vendim se fundmi dhe vendet si Shqipëria, në Kupat e Evropës do marrin pjesë 4 ekipe. Rënia nga kategoria do bëhet sipas klasifikimit”.

Ka rreth dy muaj që të gjitha aktivitetet sportive janë ndaluar shkaku i pandemisë Covid-19.

SHARE