A do rivendoset rikthimi i masave drastike të izolimit pas rasteve rekord? Përgjigjet kryeinspektorja dhe tregon për dënimet që do nisin

55

Drejtoresha e Inspektoratit Shëndetësor, Dr. Areti Beruka, tha në rubrikën “Opinion”, në News24, se Komiteti i Ekspertëve në Ministrinë e Shëndetësisë nuk do të vendosë për rikthimin e masave drastike të izolimit, për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirus.

Zyrtarja e lartë theksoi se do të ketë dënime për të gjithë shkelësit e rregullave dhe nuk do të tolerohet asnjë, pasi sipas saj, rritja e kurbës lidhet pikërisht me mosrespektimin e masave.

“Rregullat janë shkelur, ndaj kemi pasur rritje të të infektuarve. Ne nuk jemi për kthimin mbrapsht, edhe në vendimin e djeshëm të Komitetit. Pra, nuk duhet të kthehemi te mbyllja, por te dënimi i mosrespektimit të masave. Nuk do të ketë tolerancë për shkelësit e rregullave”, tha Beruka.

Intervista:

Vatrat na u bënë në spitale…

Rekomandimet tona kanë qenë për zbatimin e rregullave. Ata mund të jenë persona, që në jetë të përditshme mund të jenë analistë. Por nga stafi i kualifikuar gjithmonë ka pas respektim të kushteve sanitare dhe të protokolleve. Duhet të na mirëkuptoni, se kjo nuk është sfida e Inspektoratit të Shëndetësisë, as e stafeve, por e të gjithëve. Koha do ta vërtetojë nëse situata u menaxhua mirë apo jo.

Kemi raste në spitale…

Është neglizhuar respektimi i masave. I gjithë personeli mjekësor është i furnizuar me mjetet mbrojtëse. Mosrespektimi i rregullave sjell këtë rezultat. Mjekët janë me risk të lartë, pasi janë në kontakt me persona që mund të jenë të kontaminuar, por që nuk kanë shenja. Gjithmonë respektimi i masave mbrojtëse, maskë, dorezë, eviton përhapjen.

Duhet të rikthehemi sërish te masat?

Nuk është hequr asnjëherë nga ana e profesionistëve dhe ekspertëve respektimi i masave të distancimit fizik, përdorimi i maskave e dorezave, sidomos në ambiente të mbyllura. Bankat janë e vetmja strukturë, që nuk kanë devijuar në mënyrë kategorike nga protokolli. Ndërkohë shohim të kundërtën te bar-kafetë, restorantet. Nuk e di nga e kanë informacionin këto bar-kafe për të shërbyer në ambientet e brendshme, ndalohet kategorikisht. Lejohet vetëm jashtë shërbimi për kafe, bar e restorant.

Po i ndiqni dot rastet në mënyrë epidemiologjike, është e qartë situata?

Nuk është shumë e vështirë për t’u kuptuar nga profesionistët. Përkufizimi i rastit për tamponë nuk ka ndryshuar, me atë përkufizim rasti si në fillim vijojmë akoma të bëjmë gjurmimin. Por, meqë u shtuan rastet në spital, nuk u respektuan masat. Ditët e fundit është shtuar numri i tamponëve, në varësi të gjurmimit të rasteve. Hetimi epidemiologjik po vazhdon në mënyrë jashtëzakonisht të saktë.

Tani është përhapur kudo virusi?

Tirana ka qenë dhe vazhdon të jetë vatër, po ashtu Durrësi. Mosrespektimi i rregullave pikërisht këtë gjë do bëjë, do shtojë kontaminimin dhe rastet në spital. Tirana që në fillim të epidemisë ka qenë vatër, dhe me rastet më të mëdha. Shtimi i rasteve nuk mund të na çojë pafundësisht në shtim rastesh. Ne nuk jemi për kthimin mbrapsht, edhe në vendimin e djeshëm të Komitetit. Pra, nuk duhet të kthehemi te mbyllja, por te dënimi i mosrespektimit të masave. Nuk do të ketë tolerancë për shkelësit e rregullave.

Çfarë problemi kanë ata që i kemi tashmë të sëmurë?

70% e të sëmurëve janë shëruar. Nga 52 që janë në spital, 7 janë në terapi intensive dhe 1 i intubuar. Mjekët mund të tregojnë më shumë për gjendjen e tyre.

Po ata që janë në shtëpi si e kalojnë?

Janë asimptomatikë ose me simptoma të lehta dhe ndiqen nga mjeku i familjes. Ata trajtohen në shtëpi për temperaturën, dhimbjen e kokës, kollën, dhe këtë e ndjek mjeku i familjes.

Si e parashikoni situatën?

Mosrespektimi i masave na çoi në këto shifra. Kjo duhet të jetë sfidë jo vetëm e inspektorëve, policëve, tatimorëve në terren, apo personelit shëndetësor në spital, kjo është një sfidë e përbashkët. Kjo është sfidë e të gjithëve ne.

A kemi modele matematike se si parashikohet të shkojë kurba në vijim?

Periudha e inkubacionit varion nga 3-14-27 ditë. Kjo është një epidemi e paditur, kapriçoze. Modelet parashikuese të kurbës i bënë ISHP. Nuk mund të parashikojmë, kur kjo është një epidemi e re. Ne japim të dhëna, që pasqyrohen në mënyrë të përditshme.

Pse nuk liberalizohet testi serologjik?

Edhe konfirmimi për diagnozë vazhdon të jetë sipas përkufizimit të rastit. Ne vazhdojmë të gjurmojmë raste dhe kemi tamponë.

SHARE